Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe sot aksionin e saj para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit. Për të pestën ditë radhazi, deputetët e PDK-së kanë bllokuar hyrjen e objektit, ndërsa sot u tha se aksionit iu bashkuan edhe prodhues vendorë.
Por, mënyra se si u prezantua njëri prej pjesëmarrësve ngre pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një mbështetje spontane të prodhuesve vendorë apo për një pjesëmarrës me lidhje të drejtpërdrejta politike me PDK-në.
Bëhet fjalë për Abedin Ramadanin nga Softaj i Ferizajt, i cili gjatë aksionit foli në emër të prodhuesve vendorë dhe deklaroi se kriza institucionale po e rëndon gjendjen e tyre.
Ramadani tha se prodhuesit po përballen me kosto të larta, treg të pasigurt dhe konkurrencë të fortë nga importi, duke e lidhur këtë situatë edhe me mosfunksionimin e Kuvendit.
Mirëpo, një detaj i rëndësishëm mungon në këtë prezantim.
Dokumentet publike tregojnë se Abedin Ramadani nuk është thjesht një emër i panjohur në skenën politike. Në listat e KQZ-së për zgjedhjet lokale të vitit 2021, ai figuron si kandidat për asamble i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, me numrin 34.
Po ashtu, Komuna e Ferizajt ka bërë të ditur se Ramadani është emëruar anëtar i Komisionit Komunal të Aksionarëve në N.P.L. “Stacioni i Autobusëve” SH.A.
Madje, lidhja e tij me këtë ndërmarrje nuk është e re. Në një raportim të vitit 2019, Ramadani përmendet si kryesues i aksionarëve të Stacionit të Autobusëve në Ferizaj.
A janë vërtet “prodhuesit vendorë”, apo PDK po e zgjeron protestën me njerëz të afërt me strukturat e saj?
Nuk ka asgjë të jashtëligjshme që një prodhues të jetë edhe aktiv në politikë apo të ketë kandiduar për një parti. Ramadani mund të jetë njëkohësisht prodhues dhe përkrahës i PDK-së.
Por problemi që ngrihet është mënyra e prezantimit politik.
Nëse PDK thotë se në aksionin e saj janë bashkuar “prodhuesit vendorë”, atëherë publiku ka të drejtë të dijë nëse bëhet fjalë për përfaqësues të pavarur të sektorit të prodhimit apo për persona që kanë lidhje të drejtpërdrejta me strukturat politike të PDK-së.
Në rastin e Ramadanit, këto lidhje janë të dokumentuara: kandidat i PDK-së në zgjedhjet lokale dhe i emëruar nga Komuna në një pozitë në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve”.
Prandaj, aksioni i sotëm mund të shihet jo vetëm si protestë e deputetëve të PDK-së kundër bllokadës institucionale, por edhe si një përpjekje për t’i dhënë protestës pamjen e një mobilizimi më të gjerë shoqëror, duke e paraqitur praninë e personave me lidhje partiake si mbështetje të sektorit privat dhe prodhuesve vendorë.


