Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka parë vullnetin nga LDK-ja që vendit t’ia sjellë një president.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim. Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha Kurti pas takimit.
Ishte takimi i katërt mes LVV-së dhe LDK-së në tentim pë arritje të një marrëveshjeje.
“Vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president duhet të na bëjë optimistë”, tha Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit.
Para takimit, Kurti tha se synimi është që me mirëbesim dhe në një atmosferë pozitive të diskutohet për mënyrën se si mund të ecet përpara drejt konstituimit të institucioneve.
“Do të takohem me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun kryetar dhe do të shohim si mund të ecim përpara që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive si gjithmonë”, deklaroi Kurti.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë me deputetët Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri po ashtu kanë mbërritur në Kuvend për takim me Kurtin, raporton Ekonomia Online.

