Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq u ka bërë thirrje qytetarëve serb në veri, për vetëpërmbajtje.
Rakiq ka kërkuar nga ta që të lejojnë KFOR-in dhe EULEX-in që të lëvizin lirshëm në këtë pjesë të vendit.
Një kërkesë të tillë ai nuk e pati për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“U bëj thirrje qytetarëve që të mundësojnë lëvizjen e KFOR-it dhe EULEX-it sepse prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”, ka thënë Rakiq.
Ai ka shtuar se të gjithë kemi nevojë për paqe dhe dialog të vazhdueshëm.
“Ne të gjithë kemi nevojë për paqe dhe dialog të vazhdueshëm për t’u dhënë hapësirë negociatorëve që të arrijnë zgjidhjen e kësaj situate me dialog dhe jo me lëvizje të njëanshme”, thuhet në deklaratën e Rakiq.
KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit, ku, më 10 dhjetor, janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal, pas arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.
Policia e Kosovës ka raportuar gjithashtu për shtënie me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.
Këto sulme i ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në Twitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova po punon me KFOR-in për ta adresuar situatën “shpejt dhe në mënyrë paqësore”, por ka cilësuar se për tensionimet e fundit në veri nuk ka “pretekst”.
Më 6 dhjetor u raportua për një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që po përgatitej për zgjedhje në veri – zgjedhje që të shtunën presidentja Vjosa Osmani i shtyu për në prill të vitit të ardhshëm.
Në atë pjesë të Kosovës ishin planifikuar zgjedhje pas dorëheqjes të përfaqësuesve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë në fillim të nëntorit. Lista Serbe kishte kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre.
Më vonë, më 8 dhjetor, u raportua edhe për plagosjen e një zyrtari të Policisë së Kosovës në veri.