Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë dhe kryeministri i vendit Albin Kurti tha se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.
Kjo është bërë e ditur pasi ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e cila është thirrur pas kidnapimi të tre zyrtarëve policorë të Kosovës në veri nga forcat serbe.
Kryeministri Albin Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.
“Diskutuam për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks në katër komunat veriore dhe pikat kufitare me Serbinë. Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet dhe propozuan masat që duhet ndërmarrë. Veprimi i djeshëm i Serbisë ishte agresion ndaj shtetin tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë dhe intencë për destabilizim në kohën kur kemi prezantuar planin pesëpikësh. Për këto arsye, institucionet e sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. Për këtë arsye, janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos për mjetet transportuese. Cenimi i djeshëm nga Serbia na detyron të rrisim kontrollet kufitare, edhe ndalesat e qarkullimit në raste kur mund të përbëjnë rrezik”, ka thënë Kurti të enjten.


