Shefi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, pas arrestimit në Tiranë të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, ka thënë se ky i fundit e ka marrë drogën në Serbi, e ka sjellë në Kosovë e më pas e ka dërguar në Shqipëri.
Mujeci dyshohet se bashkë me katër persona të tjerë kanë tentuar të transportojnë 11 mijë e 300 tableta ekstazi MDMA, vlera e të cilës arrin 400 mijë euro.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese kush e përfaqëson sot votën e qytetarëve të Prishtinës nga LVV. Sipas informatave të policisë së Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri përmes autobusëve. Arrestimi i asamblistit të LVV-së, aksionarit të ndërmarrjes stacioni i autobusëve ngre dyshimin e bazuar se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë nuk ka qenë aspak i rastësishëm. Në të njëjtën kohë i arrestuari, është mik i afërt të shefit i grupit të asamblistëve të Prishtinës, Gëzim Sveçla, i cili është djali i agjit të ministrit Xhelal Sveçla”.
“Ky lloj i drogës i shpërndarë nga Besnik Mujeci prejardhjen e ka në Serbi. E kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë për ta dërguar në Shqipëri. PDK-ja kërkon urgjentisht që të nisin hetimet e menjëhershme për aferën “Droga”, në të cilën është përfshirë asamblisti i LVV-së. Ne dyshojmë që ai mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë”, u shpreh Retkoceri.
PDK-ja ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Mujecit nga pozita e tij.
“Ku e mori këtë sasi të madhe të drogës? Sa deri më sot ai ka shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale për të kontrabanduar drogë në Shqipëri a është Shqipëria vendi i vetëm? A ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aferë? Pse nuk është arrestuar deri më sot në Kosovë? Ne kërkojmë dorëheqjen e tij i cili ka tradhtuar besimin qytetar dhe obligimin zyrtar”.
Ndërkaq vetë Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj asamblistit të kësaj partie në Komunën e Prishtinës, Besnik Mujeci, të arrestuar të martën në Tiranë nën dyshimet për trafikim droge.


