Partia Guxo ka mirëpritur sot në radhët e saj Fatos (Halil) Gecin, ekonomistin nga Drenica, i cili i bashkohet kësaj force politike me një formim të lartë akademik, përvojë profesionale ndërkombëtare dhe një trashëgimi të lartë patriotike familjare.
Geci, pinjoll i familjes tradicionale e fisnike të Bajraktarit të Llaushës, është djali i vëllait të madh Halil Geci nga familja e njohur Geci – Shtatë Vëllezërit Geci, të njohur për kontributin e tyre në çështjen kombëtare. Aktualisht, ai është në përfundim të studimeve të doktoratës në ekonomi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përfitues i tri bursave ndërkombëtare në Universitetin Côte d’Azur në Francë. Me përvojë disa vjeçare në sektorin e financave, Geci ka qenë i angazhuar në analiza ekonomike, menaxhim financiar dhe politika zhvillimore.
Në ceremoninë e mirëpritjes, bashkëkryetarja e Partisë Guxo dhe Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj. Donika Gërvalla-Schëarz, deklaroi:
“Sot i hapëm dyert e Guxo-s një guximtari të ri – Fatos Gecit. Ai nuk sjell vetëm dije dhe përvojë, por edhe vlera që ne i çmojmë thellësisht: patriotizëm, përulësi, profesionalizëm dhe besim në institucion.”
Ajo vlerësoi se përvoja dhe energjia e brezit të ri janë kyçe për të ndërtuar një Kosovë moderne, të drejtë dhe të zhvilluar:
“Fatosi është një përfaqësues i gjeneratës që nuk njeh kompromis me parimet. Ai është dëshmi se dija, trashëgimia dhe përkushtimi ndaj shtetit mund të ecin bashkë. Jam krenare që e kemi në mesin tonë.”
Donika Gërvalla përmendi edhe kontributin historik të familjes Geci:
“Familja Geci ka dhënë gjithmonë më të mirën për këtë vend – nga rezistenca civile te pjesëmarrja në luftën për liri dhe deri te mbështetja e institucioneve dhe vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova. Fatosi është vazhdimi i kësaj rruge.”
Partia Guxo, si trashëgimtare e vlerave institucionale të Presidentit historik Ibrahim Rugova, mbetet e përkushtuar ndaj përfshirjes së të rinjve të formuar dhe me integritet në procesin politik e shtetformues të vendit.