Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur ngushëllime për vdekjen e babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Haxhi Thaçi do te kujtohet si njeri mirë, i urtë, i ndershëm dhe i respektuar. Si baba i përkushtuar, që rriti dhe edukoi fëmijë me vlera të larta, si ish presidentin Hashim Thaçi, i cili si Drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, dha një kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera organizata në telegramin e ngushëllimit.
Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore,
Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës,
Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane.
“E dimë që dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak të padrejtësisë që po i bëhet Hashimit në Hagë, duke e penguar që të ishte pranë babait sa ishte i sëmurë dhe sot që të jetë pranë familjes dhe t’i jap lamtumirën e fundit babait te tij”, ka shkruar OVL-UÇK të hënën.
Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.
Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës.


