Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me delegacionin e Kongresit Amerikan, të kryesuar nga kongresisti Michael Turner, udhëheqës i delegacionit të SHBA-ve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Në takim, ku morën pjesë edhe kongresistët Brett Guthrie, Linda Sánchez dhe Joe Wilson, palët diskutuan për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Presidentja Osmani theksoi rolin kyç të SHBA-ve si aleati më i rëndësishëm i Kosovës dhe vlerësoi përkushtimin e vazhdueshëm amerikan ndaj sigurisë dhe demokracisë në vendin tonë.
“Kosova është thellësisht mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara – për sigurinë tonë, për demokracinë tonë dhe për rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik”, deklaroi ajo.
Takimi në Dayton vjen në një moment të rëndësishëm për politikën e jashtme të Kosovës, ku përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe përforcimi i bashkëpunimit me NATO-n janë prioritete të agjendës shtetërore.
Ky takim rikonfirmon mbështetjen strategjike të SHBA-ve për Kosovën dhe vullnetin e përbashkët për avancimin e partneritetit dypalësh në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon