Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë ka marrë pjesë në darkën shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran.
Në këtë ngjarje solemne, ku ishin të pranishëm edhe shumë pjesëtarë të mërgatës shqiptare, u ngrit dolli për miqësinë mes dy popujve dhe të ardhmen e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Mbrëmë, në Darkën Shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran, së bashku me shumë pjesëtarë të mërgatës sonë, ngremë dolli për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen e partneritetit në mes shteteve tona”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.
Ndërkohë në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër, sot në ditën e dytë Osmani do të ketë disa aktivitete.
Vizitë në kompaninë “Stadler Rail” në St. Galle e pastaj pritet të vizitojë Universitetin e St. Gallen.
Pasdite presidentja Osmani pritet të takohet në Gjenevë me Marko Ahtisaarin, kryetar i Bordit të Fondacionit për Paqe CMI Martti Ahtisaari.
Është kjo vizita e parë e një presidenti të Kosovës në Zvicër me ftesë të presidentit të këtij shteti.