Partitë opozitare në seancën e sotme të Kuvendit kanë folur për zhvillimet e djeshme dhe arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, që erdhi pas bastisjeve që janë bërë në zyrën e tij dhe në dy banesat e tij.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do të qëndrojnë në seancë pas moskalimit të mocionit për futjen në rend të ditës raportimin e ministres së Ekonomisë, për zhvillimet e fundit në KEK ku është arrestuar edhe drejtori Nagip Krasniqi.
Ai ka thënë se deputetëve të opozitës i është mohuar e drejta.
Sipas tij, është e dëmshme të votohet kundër një debati me një ministre që mbulon sferën energjetike.
“Është hera e parë që ndodh një korporatë si KEK-u të udhëhiqet nga një anëtar i lartë i një partie politike. Ne e kemi parë një tendencë të vazhdueshme të Qeverisë për ta mbrojtur këtë person me fuqi politike. Ju paralajmëroj që ditëve në vijim do të dorëzojmë denoncime për personin e arrestuar dje. Ajo që është kupola e krejt kësaj e ka një emër, ai është Martin Berishaj. Zoti Krasniqi është vetëm një vegël e Martin Berishajt e Albin Kurtit në këtë proces. Si GP pas deklarimeve jashtë rendit të ditës nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në seancë sepse është e pakuptimtë të qëndrojmë në seancë për të diskutuar për çështje të tjera”, ka thënë ai.
Kurse deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se për dy vjet vendi është me masa emergjente për furnizim të energjisë gjë që, sipas saj, shkon në funksion të importit dhe lidhjes së tenderëve.
Ajo ka thënë se ambasadori Martin Berishaj po hetohet për një skandal milionësh.
Sipas tij, arrestimi i drejtorit të KEK-ut është maja e “icebergut”.
“Për 9 muaj mosfunksionim të bllokut A5, buxhetit i ka kushtuar 1.5 milionë euro në ditë. Ajo që është më shqetësuese janë reagimet e deputetëve të VV-së kundër organit të akuzës. A mund të na tregoni pse e keni gjithë këtë frikë sa herë organet hetojnë korrupsionin. Ju që e keni gojën krejt drejtësi e keni humbur kredibilitetin për çfarëdo reforme. Ju po mendoni që drejtësia ndahet sipas përkatësisë politike. Në emër të LDK-së ju them se ne nuk do ta lëmë drejtësinë në duart tuaja, se ju vetëm drejtësi nuk mund të bëni”, ka thënë ajo.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, foli për rastin e djeshmë dhe e quajti megaskandal.
“Ajo që duhet të thuhet zëshëm në Kuvend është që megaskandali i djeshëm në KEK dhe veprimi i orkestruar i mbrojtjes para se të dihet as për çfarë është hetimi tregon qartë panikun e madh që e ka kjo Qeveri në raport me këto afera korruptive”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se sulmet që dje u janë bërë organeve të pavarura të drejtësisë, tregojnë sipas tij, për një alarm që është në Qeveri.
“A është kjo drejtësia që e keni proklamuar. Ajo që duket është se ky është vetëm fillimi. Kërkesa ime është mos e mbroni siç e keni mbrojtur Martin Berishaj”, është shprehur Tahiri.