Ad image

Rusia mund ta preferojë më shumë sabotimin e infrastrukturës kritike, sesa armët bërthamore

Kosova News
Kosova News 20:01 -18/10/2022

Mundet? A do të guxonte? Do ta bëjë? Kryeqytetet perëndimore janë ndezur nga alarmi për kërcënimet e përsëritura bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin. Joe Biden, presidenti amerikan, përmendi “Armagedonin” e mundshëm në një takim gjatë mbledhjessë fondeve për Partinë Demokratike. Emmanuel Macron, presidenti i Francës, shpjegoi para audiencës kryesore televizive se si Parisi do të reagonte ndaj sulmit bërthamor rus “në Ukrainë ose në rajon” – jo me kundërsulm bërthamor, tha ai.

Në Berlin, zyrtarët e lartë mërmërisin në mënyrë të errët dhe të paqartë për skenarët e ndryshëm. Të hënën, kreu i agjencisë kombëtare të inteligjencës gjermane paralajmëroi në Parlament se Moska mund të përdorë “armë bërthamore substrategjike”.

Putini ka tendencë për t’u dyfishuar kur është në mbrojtje – gjë që është tani, si në fushën e betejës, në Ukrainë, ashtu edhe kundër valës kritike në vend. Pra, nuk mund të vihet në dyshim se liderët e përgjegjshëm perëndimorë duhet të bëjnë plane për atë mundësi të kobshme.

Por, gabim është të flasësh apo edhe të mendosh për të gjatë gjithë kohës dhe, mbi të gjitha, të shpërqendrohesh prej tij nga kërcënimet tjera të paktën që janë po aq serioze dhe ndoshta më të mundshme.

Kreu i Kremlinit është një çekist (agjent): polic sekret i trajnuar në traditën leniniste të detyrimit përmes terrorit politik. Mizoria dhe zemërligësia e krimeve të tij të luftës në Ukrainë – vrasjet, përdhunimet, rrëmbimet e fëmijëve, bombardimet pa dallim të qyteteve dhe termocentraleve – kanë për qëllim të gjymtojnë vullnetin politik dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve dhe të mbështetësve të tyre perëndimorë. Deri tani ato kanë arritur të kundërtën.

Kërcënimet që përfshijnë armët bërthamore, si dhe granatimet e vazhdueshme të termocentralit bërthamor në Zaporizhia, kanë të njëjtin qëllim: futjen e frikës dhe bllokimin. Politikëbërësit në Berlin duhet ta mendojnë mundësinë se ky variant i fundit i mesazheve të Kremlinit synon me saktësi opinionin publik gjerman, i cili ka qenë i shqetësuar për katastrofat bërthamore qëkur ka pasur vendin në rreshtin e parë të “shkatërrimit të sigurt reciprok” gjatë Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, përdorimi i armëve bërthamore substrategjike – të quajtura kështu sepse kanë rreze më të shkurtër dhe sasi më të ulët të eksplozivit – do të përfshinte përgatitjen e gjerë, të dukshme dhe ndoshta edhe testuese. Do të kërkonte që komandantët e lartë ushtarakë rusë ta pranojnë këtë.

Armët e tilla kanë vlerë të kufizuar në fushën e betejës, veçanërisht kundër një force që është po aq e shkathët dhe e shpërndarë sa ushtria ukrainase. Ato mund t’i rrezikojnë forcat ruse. Përdorimi kundër qyteteve të Ukrainës do të përforconte në masë shtytjen për të paditur liderët e Kremlinit për krime lufte. Përdorimi i tyre kundër një shteti anëtar të NATO-s, do të aktivizonte Nenin V, një reagim “katastrofë” – sipas fjalëve të këshilltarit të sigurisë kombëtare të ShBA-së, Jake Sullivan – dhe me shumë mundësi për luftë. Aleatët e Rusisë në jugun global do t’ia kthenin shpinën.

Në përgjithësi, duket si ide vërtetë e keqe. Zyrtarët e inteligjencës perëndimore janë të kujdesshëm të thonë se deri tash nuk kanë parë asnjë shenjë se forcat bërthamore ruse janë në gatishmëri.

Për dallim, merrini parasysh shpërthimet e fundit që dëmtuan tubacionet e gazit Nord Stream, ndërprerjet e kabllove që sollën ndalimin e trenave në gjithë Gjermaninë veriore dhe hakerimin e kompjuterëve të disa aeroporteve amerikane. Të tri incidentet ishin sulme të qëllimshme që përfshijnë përgatitje të hollësishme dhe me ekspertizë shumë të specializuar teknologjike. Këto janë shenjat që e tregojnë Rusinë si autor të mundshëm.

Sabotimi – një tjetër specialitet çekist – ofron kosto shumë më të mirë në raport me armët bërthamore. Sulmet ndaj infrastrukturës fizike dhe dixhitale janë të vështira për t’u parandaluar dhe akoma më e vështira për t’u atribuuar. Ato e minojnë besimin në qeveri dhe i shfrytëzojnë çarjet dhe dobësitë e shoqërive perëndimore. Ato e lejojnë një kundërshtar që t’i shmanget ndëshkimit dhe të luajë për kohën. Prisni më shumë incidente të tilla, ndoshta shumë të tjera.

Kërcënimet e tilla nuk janë të përshtatshme për negociata apo koncesione territoriale. As Ukraina dhe as vendet evropiane që mbështesin Kievin, nuk janë të sigurta për sa kohë që Putini është në pushtet dhe Kremlini është kapur pas ambicies së tij perandorake. Vetëm rusët mund t’i ndryshojnë këto dy fakte për vendin e tyre. Të dyja mund të zgjasin për një kohë shumë të gjatë.

Por, qeveritë perëndimore duhet t’i përshkruajnë me qetësi dhe pa mëdyshje pasojat kolektive që do të pasonin, nëse Putin do të bëhej lideri i parë zemërak që përdor armët bërthamore që nga viti 1945. Përndryshe, ata duhet ta injorojnë atë – dhe në heshtje të përqendrohen për ta penguar. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke e ndihmuar Ukrainën që të fitojë.

Shpërndaje