Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka pritur një delegacion të nivelit të larta nga Tanzania, udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit të Afrikës Lindore, Mahmoud Thabit Kombo.
Sipas njoftimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kjo vizitë është iniciuar nga presidentja Vjosa Osmani, dhe e cila sipas tyre, shërbeu si mundësi për të eksploruar rrugë të reja bashkëpunimi ndërmjet ekonomive dhe komuniteteve të biznesit të të dyja vendeve.
“Kryediplomati Kombo falënderoi Presidenten Osmani për ftesën e saj dhe nismën për të takuar komunitetin e biznesit, duke theksuar potencialin e madh për bashkëpunim ekonomik në bujqësi, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit dhe turizëm, sektorë ku të dy vendet mund të ndërtojnë partneritete të forta dhe të dobishme për të dyja vendet”.
“Takimi mblodhi së bashku anëtarë të Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane dhe përfaqësues nga industri të ndryshme, duke përfshirë prodhimin, tregtinë, teknologjinë, bujqësinë dhe energjinë e minerat, për një shkëmbim të frytshëm mbi angazhimin e ardhshëm ekonomik me një nga tregjet më premtuese të Afrikës”, thuhet në njoftim.
Tutje, Oda Amerikane dha se është mirënjohëse ndaj ministrit Thabit Kombo dhe delegacionit të Tanzanisë për vizitën e tyre, teksa shtoi se mirëpret vazhdimin e dialogut dhe partneritetit të vazhdueshëm.