Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka nënshkruar sot vendimin për mbështetjen financiare të familjeve strehuese që kujdesen për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
Sipas vendimit, familjet që hapin derën dhe zemrën për këta fëmijë do të përfitojnë nga 350 euro në muaj, si formë e përkrahjes institucionale nga Komuna e Obiliqit.
Thaçi ka theksuar se kujdesi për fëmijët pa përkujdesje prindërore nuk duhet parë si bamirësi, por si përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve.
“Kujdesi për fëmijët nuk është bamirësi, por përgjegjësi institucionale. Komuna do të jetë pranë atyre që bëjnë më shumë për shoqërinë,” ka deklaruar ai.
Ky vendim synon të forcojë mbështetjen për familjet strehuese dhe të krijojë kushte më të mira për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në nevojë në Komunën e Obiliqit.


