Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit I.Z., për vrasjen e djeshme në fshatin Banjë të Malishevës.
Lajmin e ka konfirmuar Lekë Muqaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Ai tha se I.Z., dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Ndryshe, në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 07:14, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Fsh. Banjë, Malishevë. 20.09.2023 – 07:14. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet që me armë zjarri ka vrarë viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Te dyshuarit i është konfiskuar pistoleta me te cilën dyshohet se është kryer vepra”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka thënë se ngjarja dyshohet se ka ndodhur si pasojë e problemeve mes të dyshuarit dhe viktimës, lidhur me punën.


