Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh I.A., i dyshuar për plagosjen e gruas së tij në Bresje të Fushë-Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin të dyshuarit I.A i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti mund të ik dhe të arratiset, kjo për faktin se për këtë vepër penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë, ekziston edhe rreziku i ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale”, ka njoftuar Gjykata.
I dyshuari I.A., në mëngjesin e 6 gushtit 2024 u ndalua nën dyshimin për “Vrasje të rëndë në tentativë” ndaj bashkëshortes së tij në Bresje të Fushë-Kosovës, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillje të gjykatës”.
Ndryshe, dje më (6 gusht 2024), Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikate ka dhënë detaje për rastin e plagosjes së gruas nga i dyshuari- bashkëshorti i saj. Sipas Prokurorisë, ndaj I.A., më 4 gusht është ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” me propozimin për caktim të masës së paraburgimit, e në seancë fillestare ishte propozuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, mirëpo gjykata e ka refuzuar këtë propozim dhe ndaj tij ka caktuar masën për t’ia afruar vendit apo personit të caktuar.
Të mërkurën, në raportin 24 orësh, Policia bëri të ditur se lidhur me këtë rast është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër, i cili dyshohet se ka marrë armën që është përdorur në rast për ta larguar nga vendi i ngjarjes.


