Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit (04.09.2023), dhe mund të zgjasë deri më datën 04.10.2023, ndaj të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
A.G. dyshohet për vrasjen e B.M. më 3 shtator në lagjen “Arbanë” në Prizren. Ai ishte arratisur për dy ditë, por u arrestua nga Policia në fshatin Tërpezë të Malishevës.
Gjykata e ka përshkruar në detaje se si ka ndodhur vrasja e rëndë, dhe ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar për caktimin e masës së paraburgimit.
“Me datë 2 shtator rreth orës 18:45 minuta, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, i pandehuri A.G., privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çasti që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri A.G., me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e sheh viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarat (bashkëshortja e viktimës, dhe vajza tetë vjeçare e viktimës), dhe të dëmtuarit R.M. dhe H.Sh., ashtu që i pandehuri A.G., u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-……. zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M., me ç’ rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’ rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, përderisa të dëmtuarat (bashkëshortja dhe vajza e viktimës), gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa të dëmtuarit R.M., dhe H.Sh., arrijnë të fshihen, më pastaj i pandehuri A.G., hip në automjetin e tij, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, deri në ditën e arrestimi me datë 04.09.2023. Deri me datë 4 shtator 2023, në shtëpinë e tij, në lagjen “Arbana”, i pandehuri A.G., , në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, mban në pronësi dhe në kontroll pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-……., së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B.M., e të cilën armë policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë Komuna. e Malishevës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.