Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar sapo ka arritur në presidencë. Aty është pritur nga shefja e shtetit, Vjosa Osmani.
Bashkë me Escobar në takimin me presidenten është edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, raporton KosovaNews.
Me Escobarin do të takohet edhe kryeministri Albin Kurti në orën 16:30.
Diplomati amerikan vjen në Kosovë pas tensioneve të fundit që nxiti Beogradi, duke përdorë banda kriminale në veri.
Ndërsa, të hënën, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, anuloi vizitën në Kosovë, për “arsye familjare”.
Në pjesën veriore të vendit, qysh më 10 dhjetor, disa grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në akte kriminale, respektivisht në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, ashtu si edhe ata nga komuniteti ndërkombëtar kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave dhe mos vazhdim të shfaqjes së dhunës, pasi ajo nuk do të tolerohet./KosovaNews


