Takimi i ftuar nga kryeministri Albin Kurti, me përfaqësuesit e partive opozitare, në Kuvendin e Kosovës, tashmë ka nisur.
Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërkaq është kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ai i cili ka refuzuar të jetë pjesë e tyre.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të dielën se Kosova është e interesuar që të arrihet marrëveshje me Serbinë, e cila do të kishte në qendër njohjen reciproke.
Por, derisa nuk arrihet kjo marrëveshje, e cila sipas Kurtit do të ishte ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme, Kosova do të ketë reciprocitet të plotë, i cili siç tha, do të vendoset gradualisht.
Kryeministri Kurti iu dërgoi ftesë krerëve opozitarë për, siç tha ai, informuar lidhur me rundin e dialogut me Serbinë, të mbajtur më 18 gusht në Bruksel, por edhe për sfidat që e presin Kosovën.
“Ne jemi për dialog me parime dhe proces transparent, prandaj edhe sot i dërgojë ftesë tre krerëve opozitarë për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pas në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara”, tha ai, raporton KosovaNews.
Në këtë rast, Kurti tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel ai ka prezantuar kornizën e përgjithshme me gjashtë kapituj për marrëveshjen përfundimtare.
“Unë jam i angazhuar dhe i përkushtuar që në mënyrë aktive e kreative, në bashkëpunim e koordinim me partnerët e aleatët tanë, sidomos me SHBA-në dhe BE-në, të arrijmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me njohjen e ndërsjellë në qendër, marrëveshje kjo e cila do ta sjellë paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe do t’i kontribuojë sigurisë ballkanike”, tha Kurti.
Mes tjerash Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë.
Më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.
Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.