Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të premten është shtyrë seanca ndaj ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ndaj deputetëve tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli dhe Salih Zyba.
Në seancën e sotme ka munguar deputetja tjetër e LVV-së, Drita Millaku.
Ndryshe, më 6 shkurt, seanca gjyqësore ishte shtyrë për 28 shkur shkak i mungesës së po të njëjtës deputete.
Ndërsa, edhe më 28 shkurt seanca gjyqësore ndaj ministrit Sveçla e tre deputetëve të VV-së është shtyrë për 1 mars pasi kishte munguar deputetja, Fitore Pacolli.
Gjyqtari ka thënë se është njoftuar se deputetja Millaku për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të jetë prezente në këtë seancë.
Sveçla dhe deputetët e VV-së akuzohen se në mars të 2018-s me hedhjen e gazit lotsjellës kanë kryer veprën penale të “përdorimit të armës ose mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Deputetët e VV-së nëpërmjet gazit lotsjellës protestonin në Kuvend në përpjekje për të ndaluar votimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Prokuroria Themelore kishte ngritur aktakuzën në Prishtinë më 29 korrik 2019.
Hedhja e gazit lotsjellës, kualifikohet si përdorim i armës apo i mjetit të rrezikshëm, dënueshmëria e të cilit është nga 1 deri në 8 vjet burgim.


