Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave në Suharekë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dallavere me tenderë.
Sipas aktakuzës, si persona zyrtarë B.K. dhe E.Sh. nga 18 maji i vitit 2022 deri në prill sivjet, B.K. si menaxher i kontratës dhe E.Sh. si mbikëqyrës i menaxherit të kontratës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ata akuzohen se kanë shkelur Ligjin për prokurimin publik me kontratën për ndërtimin e disa rrugëve. Aktakuza specifikon se të shuma prej 72 mijë eurosh është paguar, por në këtë kontratë rrugët nuk janë shtruar siç parashihej.
Të dy akuzohen se në fund të vitit të shkuar kanë përpiluar dokumentacione fiktive dhe të rreme se kinse punët janë kryer në rregull, ndërsa Prokuroria ka thënë se gjendja ka qenë e parealizuar. Pas kësaj, sipas Prokurorisë, të dy në prill sivjet pasi kanë nisur hetimet kanë dalë në terren dhe kanë shtruar rrugët e ridestinuara që “nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme material”.
Aktakuza specifikon se disa rrugë kanë rezultuar me trashësi më të vogël të asfaltit sesa që ishin në kontratë. “Me këto veprime i mundësojnë nga njëra anë Operatorit Ekonomik përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe nga ana tjetër i shkaktojnë dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
B.S. si pronar i operatorit ekonomik akuzohet se i ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe se s’i ka zbatuar detyrimet që dalin nga kontrata.
Prokuroria ka kërkuar që zyrtarëve t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike.


