Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar të premten masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve A. M. dhe L. M., të dyshuar për dhunim seksual.
Sipas njoftimit të gjykatës të premten, dy të pandehurit dyshohet se kanë detyruar një vajzë nën 16 vjeç që të kryejë marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj.
“Ekziston dyshimi bazuar se të pandehurit A. M. dhe L. M. gjatë muajit mars – prill në fshatin Pasjak dhe fshatin Velekincë, e kanë detyruar të miturën të kryej akte seksuale pa pëlqimin e saj, viktimë kjo posaçërisht e ndjeshme për shkak të moshës nën 16 vjeç, e cila nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie të tillë e që nënkupton marrëdhënie seksuale. Me këto veprime të pandehurit dyshohet se ka kryer veprën penale, dhunimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Për këtë rast dhe arrestimin e këtyre dy personave të dyshuar u raportua dje nga Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh.
Ndërkohë që në medie u tha se të dyshuarit janë nga një familje dhe vëllezër.
“Është intervistuar viktima femër kosovare e mitur e cila ka deklaruar se është dhunuar nga dy të dyshuar meshkuj të moshës madhore”, thuhej në njoftimin e Policisë.


