Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, do të mbahet të martën, njoftoi Komuna e Skenderajt.
Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ende nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur nga Haga në Kosovë.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.
Fillimisht, sipas njoftimit të komunës, do të bëhen homazhe pranë arkivolit në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, nga ora 09:00 deri në 12:00.
Më pas, aty do të mbahet mbledhje komemorative, në orën 12:00
Ndërkaq, varrimi do të mbahet në orën 15:00 në varrezat e reja të fshatit Burojë.
Në njoftim thuhet se e pamja e familjes Thaçi do të mbahet më 19 dhe 20 mars në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.
“Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Thaçi dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar jetën dhe veprën e të ndjerit Haxhi Thaçi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.
Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore


