Ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur sot se po diskutohet mundësia për të subvencionuar sektorin e transportit urban në kushtet e rritjes së çmimit të karburanteve.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi informoi se bashkë me ministren e Ekonomisë ka zhvilluar sot një takim me shoqatat e transportit interurban dhe urban.
Ai siguroi se qeveria po e ndjek me shumë kujdes situatën e krizës së çmimit të hidrokarbureve dhe për këtë ka njoftuar edhe disa masa.
“Qeveria ka njoftuar disa plane masash, së pari, me ngritjen e Bordit të Transparencës dhe një nismë tjetër për sa i përket akcizës së naftës, pas një çmimi të caktuar”, tha ai.



