Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Inspektorati Farmaceutik gjatë inspektimit nëpër barnatore private në Mitrovicën veriore ka gjetur sasi të madhe të produkteve medicinale të paautorizuara për tregun vendas.
Sipas njoftimit, produktet e gjetura ishin të pajisura me banderolë të Serbisë, ose të Maqedonisë ose dhe pa banderolë.
“Në njërën nga barnatoret e qytetit u hasën edhe produkte medicinale me banderolë të kuqe që janë të dedikuara për sektorin publik të shëndetësisë dhe janë falas për qytetarët apo janë të dhuruara si donacione për Spitalin e Mitrovicës Veriore. Të njëjtat janë keqpërdorur duke u dërguar në barnatore private për t’u shitur”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se të gjitha produktet medicinale të paautorizuara u konfiskuan nga ana e inspektoratit dhe ditëve në vazhdim do të vazhdohen me procedurat e rregullta.