Pas telefonatës me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, e cila zgjati më shumë se dy orë, presidenti amerikan do të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Zelensky po kërkon më shumë mbështetje për konfliktin kundër Rusisë dhe dëshiron që SHBA t’i dorëzojë Ukrainës raketat lundruese Tomahawk.
Kremlini konfirmoi se Putin e paralajmëroi Trumpin që të mos ia dorëzonte këto raketa Ukrainës, pasi një veprim i tillë do të dëmtonte ndjeshëm marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht perspektivat për një zgjidhje të mundshme të konfliktit.
Trump u tha gazetarëve në Belaya se dërgimi i raketave Tomahawk në Ukrainë është i rëndësishëm, por theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballojnë shterimin e burimeve të veta.
“Ne kemi shumë prej tyre, por kemi nevojë për to. Kështu që nuk e di se çfarë mund të bëjmë në lidhje me këtë”, tha presidenti amerikan.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në Budapest, Hungari, për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë, telefonates të cilën Trump e përshkroi si “shumë produktive”.
“Presidenti Putin dhe unë do të takohemi më pas në një vend të rënë dakord, në Budapest të Hungarisë, për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj lufte ‘të paturpshme’ mes Rusisë dhe Ukrainës. Unë do të takohem me Presidentin Zelenskyy në Zyrën Ovale, ku do të diskutojmë për bisedën time me Presidentin Putin dhe shumë çështje të tjera”, tha presidenti në rrjetin social Truth Social.
Më vonë, Trump u tha gazetarëve gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale se do të takohej me Putinin “brenda dy javësh ose më shumë”.
Trump bëri të ditur gjithashtu se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të takohet fillimisht me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndërsa vendndodhja e këtij takimi do të përcaktohet më vonë.
“Putin më përgëzoi mua dhe Shtetet e Bashkuara për arritjen e madhe të paqes në Lindjen e Mesme, diçka që ai tha se ka qenë një ëndërr shekullore,” deklaroi Trump.
Ai beson se suksesi në Lindjen e Mesme do të ndihmojë në negociatat për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan beson se është e mundur të sjellë Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin në të njëjtën dhomë për negociata. Ai beson në këtë dhe dëshiron që një gjë e tillë të ndodhë.


