Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në inaugurimin e një pjese të bibliotekës “Ervin Szabó” në Budapest, e cila tashmë mban emrin e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në një postim në Facebook, Osmani tha se trashëgimia e “Atit themeltar të Republikës”, siç e cilësoi ajo Rugovën, nuk i përket vetëm Kosovës, por të gjithë atyre që besojnë në fuqinë e së drejtës dhe në idealin e lirisë.
“Prandaj, sot në Budapest, bashkë me miq të Presidentit Rugova e miq të rinj të Kosovës, inauguruam një pjesë të bibliotekës ‘Ervin Szabó’ me emrin e Presidentit historik, si shenjë e përhershme kujtese për vizionin e arkitektit të pavarësisë, i cili me përkushtim i udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka theksuar Osmani.
Inaugurimi i kësaj pjese të bibliotekës në kryeqytetin hungarez vjen si një tjetër akt nderimi për presidentin e parë të Kosovës, i cili për vite me radhë ishte figurë qendrore e rezistencës paqësore të popullit të Kosovës.