Dhjetëra punëtorë për çdo vit humbin jetën gjatë orarit të punës në Kosovë. Ndërtimtaria thuhet se prin me numrin më të madh të viktimave. Mirëpo, shqetësime kanë ngritur edhe punëtorë të KEK-ut. Ata thonë se sëmundjet që po i marrin në punë po ua sjellin vdekjen. Nga Inspektorati i Punës është kërkuar që të kryejë kontrolle adekuate për sigurinë e punëtorëve.
Puna si burim kryesor i të ardhurave, u bë shkaktar për vdekjen e dhjetëra punëtorëve në Kosovë. Vetëm gjatë javës së fundit, katër persona humbën jetën në vendin e punës.
Ndonëse nga Inspektorati i Punës kanë thënë se numri i punëtorëve që kanë vdekur në vendin e punës është 7, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat pretendojnë se numri i viktimave është 19.
“Në Gjermani në 100 mijë punëtorë një mesatare është që vdesin dy punëtorë brenda vitit, kurse te ne tetë punëtorë vdesin në 100 mijë punëtorë. Statistikat janë më të mëdha se ne vendet tjera”, tha për RTK, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.


