Pas një procesi të zgjatur ligjor, Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka njoftuar se ka realizuar me sukses ekzekutimin e vendimit K.Dh.Sh.II.nr.1258/25 për lirim të pronës publike, pas mosrespektimit të kushteve kontraktuale nga pala qiramarëse, në kuadër të kontratës së qirasë nr. 22024 të datës 18.04.2024, e cila nuk është zbatuar në Nenin 7, paragrafi 7.3.
Ky lokal që ndodhet në qytetin e Mitrovicës ishte marrë me qera nga Kajtaz Kajtazi, një mbështetës i kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut Arjan Tahiri nga PDK-ja. Madje Tahiri më 20 gusht të këtij viti kishte bërë një postim në facebook në takim me Kajtazin “Për kafenë e mëngjesit u takova me Kajtaz Kajtazin, çlirimtar, humanist dhe gastronom i njohur në Mitrovicë” kishte thënë ndër të tjera Tahiri

Në vitin 2024, ndërmarrja kishte ndërprerë kontratën e qirasë për aktivitetin afarist në fjalë, por pala qiramarëse kishte vazhduar të mbante hapësirat në kundërshtim me marrëveshjen.
Si rrjedhojë, Trepça Sh.A., në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe në terren, duke siguruar mbylljen e aktivitetit afarist dhe lirimin e pronës në përputhje me vendimin K.Dh.Sh.II.nr.1258/25.
Ky hap përbën një shembull të qartë të angazhimit të menaxhmentit të Trepçës për mbrojtjen e pronës publike, respektimin e ligjit dhe garantimin e integritetit të pasurive të ndërmarrjes.


