Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri, Taulant Kelmendi dhe rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Universitetit Dimëror UNIWIN 2025, program i cili është realizuar për të dytin vit radhazi nga Universiteti i Pejës.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka vlerësuar arritjet e studentëve që kanë qenë pjesë e programit, e që viteve në vijim pritet se do të sjellë edhe më shumë studentë nga vende të tjera të Evropës dhe botës.
Ministrja Nagavci theksoi se, vlerat e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë nuk kanë qenë kurrë më qartë të konkretizuara sesa në programe të tilla, të cilat shërbejnë edhe për të krijuar lidhje e miqësi me vendin tonë, Kosovën, si dhe shoqëri të ngushta me kolegët nga vende të ndryshme.
Ministrja Nagavci po ashtu bëri të ditur se, nga viti 2021 deri në vitin 2024, janë ofruar mbi 4 milionë e 290 mijë euro për këtë qendër të arsimit të lartë, si dhe ka filluar të ndërtohet Fakulteti i Biznesit dhe i ai për Menaxhim Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis, të cilat janë investim i Ministrisë së Arsimit, në vlerë 4 milionë e 298 mijë Euro.
Ndryshe, në Universitetin Dimëror “UNIWIN 2025” pjesëmarrës të këtij edicioni ishin 68 studentë, prej të cilëve 5 nga Kosova dhe 16 nga vende evropiane si: Finlanda, Holanda, Polonia dhe Bullgaria. Me kurse të zgjedhura nga sektorët e turizmit, tranzicionit të gjelbër dhe qëndrueshmërisë, kreditë e fituara në Universitetin Dimëror u njihen studentëve tanë, si dhe studentëve të huaj në institucionet përkatëse të arsimit të lartë në vendet e tyre.