NATO-ja synon të forcojë ndjeshëm trupat e saj për shkak të rrezikut nga Rusia dhe kërkon 40,000 ushtarë shtesë nga Gjermania.
Sipas burimeve nga persona të brendshëm NATO dëshiron që Gjermania të vërë në dispozicion edhe shtatë brigada të tjera, pra rreth 40,000 ushtarë shtesë për mbrojtjen e aleancës. Objektivat e reja për armët dhe madhësinë e trupave, për të cilat ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s pritet të bien dakord javën e ardhshme, konsiderohen si të rëna dakord, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters tre persona që kanë njohuri për këtë çështje.
Sipas një zyrtari të lartë ushtarak objektivi për numrin e përgjithshëm të brigadave që aleatët e NATO-s do të duhet të vënë në dispozicion në të ardhmen do të rritet në 120 deri në 130. Kjo përbën një rritje prej rreth 50 përqind të objektivit aktual që është rrethh 80 brigada.Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes nuk pranoi të shprehej lidhur me këtë lajm.
Zëdhënësi tha se nuk mund të flasë paraprakisht për vendimet e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që do të merren javën e ardhshme si dhe të krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s në samitin e tyre në fund të qershorit. As NATO nuk ka bërë deri tani ndonjë deklaratë.NATO e sheh Rusinë si kërcënim të madh
NATO synon të forcojë ndjeshëm trupat e saj pasi që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022 e sheh Rusinë si një kërcënim ndjeshëm më të madh. Shifra të sakta lidhur me objektivat e NATO-s janë të vështira për t’u verifikuar.
Në samitin e NATO-s në Hagë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dëshiron t’i bindë krerët e shteteve dhe të qeverive që ta dyfishojnë objektivin aktual të shpenzimeve për ushtrinë dhe mbrojtjen nga dy në pesë përqind të prodhimit ekonomik. 3.5 përqind duhet të jenë në dispozicion vetëm për ushtrinë dhe 1.5 përqind për shpenzimet në sektorët ndihmës që lidhen me të./DW