Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare dhe intelektualin, profesor Ukshin Hotin në 80-vjetorin e lindjes
Ajo tha se Ukshin Hoti ishte një njeri i rrallë që i dha Kosovës shumë si intelektual i klasit të lartë, si profesor tejet i respektuar në qarqet akademike e filozofike vendore dhe ndërkombëtare, si mendimtar i shquar që la gjurmë të pashlyeshme në memorien tonë kolektive.
«Ai mbetet në kujtesën e studentëve të tij dhe kolegëve, dhe në memorien e të gjithë atyre që patën fatin ta kenë pranë gjatë rrugëtimit të tyre. Është në mendjen dhe në zemrën e një populli të tërë, populli për të cilin Ukshin Hoti shkroi vargun:
“…i mbijetoi robërisë dhe ende frymon për të gjalluar – atëherë vetes i thashë veç një emër: shqiptar!”
Sot kujtojmë fjalët, vargjet, shkrimet dhe idealet e këtij njeriu të madh, krenohemi dhe e kujtojmë me respekte shtetërore e dinjitetin e merituar, duke lartësuar kujtimin dhe veprën e tij në piedestal», tha ajo.


