Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e proceseve politike dhe institucionalë në vend, duke thënë se çdo propozim i LVV-së është refuzuar.
Përmes një postimi publik, Nagavci deklaroi se përpjekjet e LVV-së për të shmangur zgjedhjet e parakohshme kanë hasur në “një bllokadë të pakapërcyeshme”.
“Secilës përpjekje të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm mungesë vullneti për zgjidhje”, ka shkruar ajo.
Nagavci ka përmendur se nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe pati refuzim ndaj kandidatëve të propozuar nga LVV, përfshirë Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, si dhe ndaj figurave që i quajti konsensuale, si Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Sipas saj, opozita ka refuzuar edhe ofertat për bashkëqeverisje, pozitën e kryeparlamentarit dhe atë të presidentit, si dhe vetë procesin për zgjedhjen e presidentit.
Nagavci shtoi se opozita, “e dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit”, po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa tha se përgjegjësia për situatën aktuale është e qartë dhe se “qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre”.
Postimi i Plotë:
Varg refuzimesh
Secilit propozim të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim. Përpjekja jonë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme hasi në një bllokadë të pakapërcyeshme. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje.
Kontradiktat e tyre dolën qartë në shesh. Nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe pamë refuzim ndaj propozimeve tona, refuzim për të marrë pjesë në votim, refuzim ndaj kandidatëve si Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, si dhe ndaj figurave konsensuale si dr. Feride Rushiti dhe prof. Hatixhe Hoxha. U refuzua edhe bashkëqeverisja, pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit. U refuzua edhe vetë procesi për zgjedhjen e Presidentit.
Të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po na çojnë edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre.


