Kompanitë e naftës në Kosovë kanë thënë se janë duke punuar me humbje të mëdha për shkak të vendimit të Qeverisë për caktim të çmimeve tavan të derivateve. Në një letër të kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, është thënë se nëse s’merren masa, ka rrezik për falimentim të shumë kompanive e që mijëra punëtorë të mbesin pa punë.
Qeveria qe një kohë tashmë cakton çmimet maksimale të lejuara për shitje për naftë, benzinë e gas, bazuar në vendimin për caktim të marzhës maksimale të fitimit të lejuar.
Sipas Berjanit, aktualisht çmimet tavan për shitje janë më të ulëta se çmimi me të cilin kompanitë po blejnë naftë.
“Vendimi i fundit i Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, është skandaloz, pasi që çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Çmimi blerës për naftë, sot është: 1.75 euro, dje ishte: 1.68 euro, ndërsa pardje: 1.66 euro. Ndërsa çmimi tavan i vendosur nga Qeveria për naftë është:1.67 euro. Vendime të këtij lloji janë duke i detyruar kompanitë të operojnë me humbje trashanike, dhe shumë shpejt, shumë nga kompanitë do të falimentojmë, për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë në vendosjen e çmimit tavan. Ku si kompanitë e mëdha po ashtu ato individuale me kosto ma të ulet të operimit janë barazuar. Kjo praktikë sigurt do t’i falimentojë shumë kompani dhe me mijëra punëtorë do të mbesin pa punë”, thuhet në letrën e Berjanit.
Në letër po ashtu Berjani ka thënë se naftëtarët janë të hapur për t’i diskutuar modalitetet për rregullim të çmimeve, “duke u bazuar në analiza të mirëfillta”./KP


