Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me çështjen e mosalokimit të buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke theksuar se përgjegjësia i takon opozitës që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Murati tha se buxheti i RTK-së ndahet me vendim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, siç e përcakton ligji, ndërsa Thesari vetëm e ekzekuton këtë vendim.
Sipas tij, aktualisht Komisioni për Buxhet nuk ekziston, pasi partitë opozitare po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit për disa muaj, duke mos marrë pjesë në votim.
“Po të mos e kishin bllokuar opozita konstituimin e Kuvendit, çështja e buxhetit të RTK-së as që do të ishte temë, sepse buxheti alokohet me automatizëm sapo të ketë vendim nga Komisioni për Buxhet”, tha Murati.
Ai akuzoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se po përpiqen t’ia atribuojnë përgjegjësinë Qeverisë, duke i kërkuar të shkelin ligjin njësoj si në vitin 2021, kur ishte miratuar alokimi për 3 muaj në Qeveri.
Murati kujtoi se për të shmangur një situatë të tillë, Komisioni për Buxhet, nën kryesimin e deputetit Armend Muja, kishte miratuar në dhjetor të vitit të kaluar pagesën e këstit për 6 muaj (janar–qershor 2025), duke parashikuar vonesa eventuale pas zgjedhjeve.
“Por askush nuk e kishte menduar se opozita do ta mbajë të bllokuar Kuvendin për kaq gjatë, vetëm sepse është kundër që Albulena Haxhiu të zgjidhet Kryetare e Kuvendit. Kapaciteti destruktiv i tyre tejkalon çdo imagjinatë”, theksoi Murati.
Ai shtoi se opozita nuk është deklaruar asnjëherë për kërkesën që pozita e nënkryetarit të Kuvendit t’i takojë një personi që nuk vjen nga Lista Serbe. “Pra, për opozitën bën Lista Serbe për nënkryetar, por nuk bën Albulena Haxhiu për Kryetare”, përfundoi Murati.


