Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Murat Dernjani, i cili është dënuar me 20 vjet burgim për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit.
Koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënimin e shqiptuar, raporton Betimi për Drejtësi.
Rasti është zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe mbrojtjes së të dëmtuarve.
Gjykata ka konstatuar se dëshmitë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, përfshirë ato të lexuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë qenë konsistente dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Sipas vendimit, Dernjani është identifikuar nga të dëmtuarit si përgjegjës për kryerjen e akteve të dhunës ndaj viktimave gjatë kohës kur ai ka vepruar në Siri dhe Irak. Gjykata ka vërtetuar se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të drejtës ndërkombëtare.
Vendimi i gjykatës bazohet në provat e prezantuara, ku është konstatuar se i akuzuari ka kryer krime që bien ndesh me normat e të drejtës ndërkombëtare humanitare.
Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prishtinës në janar të vitit 2019, i kishte shqiptuar dënim prej 5 vitesh burgim për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.