Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e fundit në Telekomin e Kosovës, duke e quajtur të jashtëligjshëm një veprim të përmbarimit që sipas tij ka dëmtuar rëndë ndërmarrjen publike.
Sipas Mujës, një përmbarues privat ka transferuar në mënyrë të paligjshme mbi 4.4 milionë euro nga llogaria e Telekomit të Kosovës në favor të kompanisë Dardafon.net (Z-Mobile). Ai e ka cilësuar këtë rast si një episod të ri në historinë e gjatë të keqpërdorimeve që kanë karakterizuar Telekomin gjatë qeverisjeve të mëhershme.
“Telekomi i Kosovës, në të kaluarën, ka funksionuar si një ‘bankë e hapur’ për keqpërdorime milionëshe – skandale të vërteta, me pasoja të rënda për shtetin,” ka shkruar Muja.
Ai thekson se aktualisht po bëhen përpjekje për kthimin e shumave të vjedhura dhe se janë duke u shënuar rezultate konkrete. Në këtë kontekst, ai ka kritikuar opozitën për, siç e quan ai, përpjekjet për të krijuar “skandale nga hiçi”.
“Në fund të ditës, realiteti fiton mbi propagandën,” përfundon reagimin e tij deputeti Muja.