(Përmbledhje) Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar sot ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman.
Pas takimit bilateral të dy homologët kanë mbajtur konferencën e përbashkët për media.
Në këtë konferencë krydiplomati kroat është pyetur edhe për modelin kroat të Asosacionit për minoritetin serb i cili është propozuar nga Kosova.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, tha se ky model është promovuar përmes Kushtetutës së Kroacisë, për pakicat dhe ndoshta mund të shërbej si model edhe në Kosovë
“Ky model ka rezultuar me sukses tek ne, ka modele të shumta që mund të shfrytëzohen, mirëpo sa i përket integrimit të mëtejmë të serbeve të Kosovës, këtë punë e ka në dorë Kosova, dhe ne ia lëmë këtë punë Kosovës e dialogut. Gjithsesi presim që Kosova të ketë stabilitet që vazhdueshëm”, tha ai.
Gërvalla: Ajo çka ndodhë në Bosnjë e Hercegovinë nuk mund të ndodhë kurrë në Kosovë
Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se asnjë Asociacion që shkel kushtetutën e Kosovës nuk është zgjidhje.
Gërvalla tha se në vazhdimësi në dialog u janë prezantuar disa modele se si mund të rregullohen të drejtat e pakicave.
“Në ju japim shumë më shumë të drejta pakicave, nga se ofrojnë modelet e prezantuara. Ne i kemi pa modelet, për ne nuk vijnë në shprehje sepse shkelin vijat e kuqe te Kosovës. Ajo çka ndodhë në Bosnjë e Hercegovinë nuk mund të ndodhë kurrë në Kosovë. Gjithçka në Kosovë do të bëhet ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës, jemi në proces të negociatave, asgjë nuk ndodhë shpejtë, ne kemi dhanë fjalën tonë dhe mbajmë fjalën tonë, presim qe BE të jetë vigjilente për të kërkuar seriozitet nga Serbia, për vendimet qe ata janë zotuar t’i zbatojnë e shpesh bëjnë sikur kane harruar ose nuk e dinë se çfarë kanë dialoguar e për çfarë janë pajtuar.
Kryediplomati kroat: Kosova ka mbështetjen e Kroacisë
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman theksoi se kanë biseduar për temat e fundit politike dhe dialogun e Kosovës me Serbinë.
Radman deklaroi se e mbështet Deklaratën mes Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur gjatë luftës, derisa tha se Kroacia tash e 30 vjet është në kërkim të 3000 personave të zhdukur.
Mes tjerash, ai deklaroi të martën se Kroacia e mbështet çdo marrëveshje mes palëve që çon në dakordimin e raporteve, derisa shtoi se liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) është hap i madh.
“Gjithashtu kemi theksuar se Kosova dhe Kroacia janë shtete mike, Kroacia është ndër shtetet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, rezultati është edhe në vizitat bilaterale. Kjo vizitë pas 2 vitesh është që të përforcojmë akoma më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve. Në takim kemi përmendur gjithashtu edhe rëndësinë e mbetjes së një kolone të vogël prej diku 150 njerëzve që jetojnë në Janjevë, e që bëhet fjalë për një komunitet të varfër të cilëve duhet të ju ndihmojmë. Të bëjmë përpjekje që të ofrojmë sigurinë e tyre personale dhe të pronës së tyre…Kroacia ka qenë ndër të parat që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu e përshëndesim vendimin e fundit të këshillit të Ministrave që e ka votuar dhe mbështetur aplikimin për anëtarësim në Këshilli e Evropës. Mendojmë që ky do të jetë një hap i madh për Kosovën anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, deklaroi Radman.
Gërvalla falënderon Kroacinë për mbështetjen që i dha Kosovës drejt Këshillit të Evropës
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka falënderuar Kroacinë për mbështetjen ndaj Kosovës, në të gjitha fushat duke veçuar edhe liberalizimin e vizave, për Këshillin Evropës dhe paqen në rajonin tonë.
Sipas saj bashkëpunimi me Kroacinë është në shumë fusha, duke përmendur edhe Forumin Ekonomik.
“Kjo datë është shumë e rëndësishme për Kroacinë. Do të shënojmë ceremoninë e shënimit të 720 vjetorit të përmendjes së parë me shkrim të këtij qyteti të vogël të banuar me kroatë”, tha ajo.
Sipas saj komuniteti kroat në Kosovë dhe ai kosovar në Kroaci, janë ura lidhëse mes dy vendeve.
“U pajtuam që është një proces që ka zgjatur padrejtësisht shumë por që më në fund qytetarët do të mund të udhëtojnë pa viza në janar 2024…E falënderova për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës që nga dita e parë për aplikimin në Këshillin e Evropës. Biseduam për perspektivën evropiane të Kosovës për anëtarësimin në BE për aplikimin e që ka filluar të marrë formë. Biseduam gjithashtu edhe për konsultimeve politike që do t’i kemi pas disa javësh. Nga kjo konferencë do të shkojmë në Janjevë ku së bashku me kroatët me qytetarët e Janjevës do të festojmë me ta”, deklaroi ajo.
Gërvalla shtoi në negociatat me Serbinë, ende s’është vendosur asgjë dhe nga modelet e prezantuara, do të zgjidhen më të mirat.
“Ne kemi trajtuar modelin e kemi parë, asnjë lloj asociacioni, mekanizimi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse shkel Kushtetutën tonë, dhe shkel funksionimin e shtetit tonë. Çfarë kemi parë në Bosnjë dhe Hercegovinë me serbët, nuk mund të ndodhë këtu. Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe nuk ka nevojë për një të dytë. Të gjitha modelet që kemi parë, kemi konstatuar se Kushtetua e Kosovës u jep shumë më shumë të drejta komuniteteve”, tha ministrja Gërvalla.


