Një grua me shtetësi uzbeke, e identifikuar si Züleyha E., është gjetur e vdekur në banesën e saj në lagjen Aksaray të qarkut Fatih në Stamboll. Viktima, 36 vjeçe, u gjet me prerje në qafë, duke ngritur dyshime të forta për një vrasje.
Sipas mediave turke, shoqja e saj kishte ditë që nuk arrinte të lidhej me të dhe njoftoi pronarin e banesës. Me ndihmën e një çilingiri, ata hynë brenda dhe gjetën trupin e pajetë të Züleyhës.
Policia dhe ekipet shëndetësore mbërritën menjëherë në vendngjarje. Mjekët konstatuan se gruaja kishte ndërruar jetë si pasojë e plagës së thellë në qafë. Trupi i saj është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Një nga fqinjët u shpreh se nuk kishte pasur njohje të afërt me viktimën dhe as që kishte dëgjuar ndonjë zhurmë apo konflikt nga banesa e saj.
Hetimet kanë nisur për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo për një vrasje të qëllimshme.


