Kuvendi Komunal i Prishtinës, gjatë një mbledhje maratonike, e ka miratuar të hënën Planin rregullues të lagjes “Kalabria”.
Këtë votim kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, e ka quajtur ditë të madhe për “Kalabrinë” dhe kryeqytetin.
“Ditë e madhe për ‘Kalabrinë’ e Kryeqytetin. Uroj qytetarët e lagjes ‘Kalabria’ dhe të gjithë kryeqytetit për miratimin e Planit të Rregullativ të Lagjes ‘Kalabria’. Vazhdojmë tutje me transformimin e kryeqytetit”, ka shkruar Rama.
Banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë, gjatë protestës së mbajtur sot para Komunës së Prishtinës, kanë kërkuar që koeficienti i lagjes nga 1.5 të bëhet në 2.4, në mënyrë që të ketë një barazi për të gjitha pronat publike dhe private në ‘Kalabri’.
Në seancën e kaluar të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka premtuar që koeficienti të rritet në 2.4, por pas premtimeve të tij ai është shprehur që koeficienti në pjesën e Stacionit të Autobusëve në këtë lagje të bëhet 7.0, ndërsa një pjesë tjetër të mbetet 1.5, koeficient të cilin nuk po e pranojnë banorët e kësaj lagjeje.


