Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia Për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë ( ARBK) dhe Dogana e Kosovës kanë nënshkruar të enjten një Memorandum Bashkëpunimi për sigurimin e të dhënave dhe qasjen online nga ana e Doganës në të dhënat e Shoqërive Tregtare nga regjistri zyrtar i bizneseve në ARBK.
Nënshkrimi i memorandumit u realizua në ambientet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga Lebibe Haliti në cilësinë e zv. drejtores së përgjithshme të ARBK-së dhe Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës.
“Sigurimi i të dhënave nga ARBK, do të ndihmojë Doganën e Kosovës në veçanti gjatë procesit të hetimit dhe luftimit të aktiviteteve të paligjshme, si dhe do të ndikojë dukshëm në fuqizimin dhe lehtësimin e mëtutjeshëm të koordinimit dhe bashkëpunimit ndër-institucional”, thuhet në njoftimin e MINT.