Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar nga portali Kallxo.com, duke e akuzuar median për tendenciozitet dhe përzgjedhje selektive të deklaratave të saj gjatë një konference për media.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rizvanolli ka bërë të ditur se gjatë një konference 30-minutëshe ka trajtuar rreth 10 pyetje të gazetarit të Kallxo.com, të cilat sipas saj ishin me interes për publikun. Sidoqoftë, ajo thekson se portali ka zgjedhur të nxjerrë në pah vetëm një “gjysmë-fjali” që, sipas saj, mund të ketë irrituar qytetarët.
“Ndërsa shumë prej çështjeve që gazetari me ngulm e me nervozë insistoi t’i bënte, nuk janë publikuar fare,” shkroi Rizvanolli, duke shtuar se nuk e kupton këtë mënyrë të gazetarisë.
Ministrja ka ftuar qytetarët që të ndjekin tërë konferencën për të parë në mënyrë të plotë qëndrimet dhe përgjigjet e saj, duke lënë të kuptohet se prezantimi i pjesshëm nga media nuk pasqyron drejtësisht mesazhin që ajo ka dashur të përcjellë.
