Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagafci i ka renditur të martën një serë punësh që janë bërë në sistemin arsimor dhe sidomos masat e veprimet direkte që janë ndërmarrë për të ndihmuar mësimdhënësit, gjatë një viti e gjysmë qeverisje.
Ajo poho se përgjatë këtij një viti e gjysmë qeverisje janë realizuar një mori punësh e janë nisur reformat për të cilat kanë dhënë zotim, por në anën tjetër sipas saj edhe u janë përgjigjur shumë emergjencave që vijnë si rezultat i gjendjes në të cilin është gjetur sektori i arsimit dhe jo vetëm.
Ministrja Nagafci tha se gjatë kësaj kohe janë marrë një sërë masash e veprimesh të cilat ndihmojnë direkt mësimdhënësit, duke filluar me ndarjen e buxhetit prej 1.7 milion euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, e ku përfitojnë rreth 300 mësimdhënës.
Ajo theksopi faktin se është ndarë buxhet për mësimdhënësit që janë tepricë teknologjike, vetëm për shkakun që të mos i lënë ata pa punë.
“1600 mësimdhënësve ju kemi ruajtur normat dhe jemi duke punuar që mësimdhënësit të mos rrezikojnë vendet e punës e po punojmë njëkohësisht edhe për riplanifikim e kujdes për buxhetin. Sivjet kemi punësuar 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta – për vitin që vjen + 300 asistentë tjerë, për të cilët tashmë është planifikuar buxheti”, ka thënë ajo.
Ndër tjera, Nagafci tha se tashmë e kanë zgjidhur edhe problemin me norma, si psh. në Komunën e Fushë-Kosovës, ky problem ka qenë më shumë se 10 vjet.
Ajo pohoi se në buxhetin e vitit 2023 tashmë janë paraparë më shumë se 150 norma të stafit arsimor për këtë komunë.
Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagafci tha se në Projektligjin e ri për paga i cili është në diskutim paraprak, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë.
“Në raport me ligjin e kaluar kemi ngritje të koeficientëve në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave. Kemi eliminuar padrejtësitë e shumë punonjësve të sektorit të arsimit si biblotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar. Jemi duke punuar maksimalisht që të përmirësojmë kushtet e punës në shkolla e t’ i pajisim me kabinete, laboratore e salla sportive”, ka thënë ajo.
Ministra Arbërie Nagafci tha se 14 shkurti ka qenë moment i kthimit të madh për rregullimin e secilit sektor shoqëror tashmë të dëmtuar rëndë, ndër të cilët pothuajse më së rëndi ky i arsimit.
“Dhe padyshim fajtorët nuk janë anonim. Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale, por çdo ditë po marrim iniciativa e vendime që do të na nxjerrin përfundimisht nga kjo gjendje. Kemi e do të kemi pengesa, por kemi edhe vullnetin e hekurt që besimin që kemi marrë nga qytetarët për programin tonë ta çojmë deri në fund”, është shprehur ajo.


