Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari përmes një postimi në Facebook, shpalosi të arriturat kryesore përgjatë mandatit qeverisës e deri më sot.
Hajdari tha se angazhimi i përditshëm nuk do të ndalet dhe se veprimet do të intensifikohen e mbikëqyrja e tregut do të vazhdoj të rritet.
“Përgjatë mandatit tonë qeverisës, deri më sot, rregulluam dhe përmirësuam mbikëqyrjen e tregut, me sjelljen e reformës në inspektime.
Ligji i ri për Inspektime që ishte në pritje prej më shumë se 10 vite, solli reformë në inspektime duke përcaktuar parimet e inspektimit, me koordinim të mirëfilltë me organet inspektuese në kompetencë të administratës shtetërore dhe komunave, rregullat për koordinimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurën e inspektimit të veprimtarive të inspektimit ne te gjitha fushat e administratës.
Pas më shumë se një dekade, rregulluam dhe rritëm mbikëqyrjen e tregut të produkteve të naftës.
Miratuam Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme, i cili përcakton kushtet për furnizim cilësor dhe të sigurt dhe për tregti konkurruese me
produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.
Cilësinë e naftës e rritëm për sigurinë shtetërore, për shëndetin publik dhe për mjedisin.
Rritëm kontrollet e operatorëve që merren me përpunimin e produkteve të naftës dhe mbyllëm 4 deponi për përpunim të naftës tek të cilat u evidentuan shkelje ligjore në përpunimin e naftës.
Për herë të parë me ligjin për tregti me produkte të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme, është përcaktuar konfiskimi i naftës jo cilësore dhe me këtë rast MINT ka siguruar rezervarë të naftës ku do të vendoset nafta e konfiskuar.
Morëm 1833 mostra të derivateve të naftës dhe 739 mostra të vajrave motorike. Sekuestruam 1744 l vajra motorike dhe 4574 kg antifriz. Kthyem në vendin e origjinës 122.790 l të vajrave motorike ndërkaq iniciuam 390 kërkesa për procedurë kundërvajtëse. Shqiptuam 215 aktvendime për gjoba, iniciuam 3 kallëzime penale dhe pezulluam dy licenca të importit/shitjes me shumicë të vajrave motorike.
Për herë të parë u përcaktuan parametrat për vajrat motorike dhe filloi kontrolli intensivë në pikat doganore dhe tregun e brendshëm. Brenda një kohe shumë të shkurtër, u kthen në vendin e origjinës mbi 100.000 mijë litra të vajrave motorike, të cilat nuk i plotësuan parametrat e lejuara sipas akteve ligjore.
Larguam nga tregu mbi 12.000 produkte industriale jo-ushqimore, të cilat u konstatuan se janë të pasigurta për konsumatorë.
Për herë të parë filloi mbikëqyrja e sigurisë së produkteve ndërtimore. Përgjatë viteve 2021 dhe 2023, u larguan nga tregu mbi 100 ton armaturë, e cila ka rezultuar se nuk i plotëson standardet dhe rrjedhimisht është e pasigurtë për ndërtim.
Për herë të parë filloi të testohen të gjitha llojet e cementit dhe u ndaluan nga tregu llojet e cementit që kanë rezultuar se nuk plotësojnë standardet. Janë ndëshkuar operatorët ekonomik që kanë prodhuar beton jo cilësor dhe janë obliguar të rrisin cilësinë në parametrat që parasheh standardi.
Gjithashtu për herë të parë ka filluar të testohet cilësia e zhavorrit që futet në ndërtim të lartë.
Përmes Ligjit për Punimet nga Metalet e Çmuara intensifikuam kontrollet dhe verifikimet, ku brenda një kohe shumë të shkurtër u verifikuan mbi 1000 kg punime të metalit të çmuar.
Nënshkruam Udhëzimin Administrativ për kriteret teknike për import, deponim, shitje me shumicë dhe pakicë të karburanteve të ripërtërishme të naftës dhe pastrimit të rezervuarve. Përmes këtij udhëzimi administrativ përcaktohen kriteret teknike-teknologjike për subjektet që merren me import, deponim, shitje me shumicë, ose me pakicë të karburanteve të naftës dhe atyre të ripërtëritshme dhe import të lëndës së parë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të naftës si dhe pastrimin e rezervuarve.
Për herë të parë në Republikën e Kosovës, Inspektoriatit Qendror të Tregut i shtohet kompetenca në bazë të Ligjit për Turizmin, i cili përcakton obligimin e mbikëqyrjes inspektuese përmes inspektimit të drejtpërdrejt të shërbimit turistik dhe akomodimit.
Inspektoriatit Qendror të Tregut, ia rritëm kompetencat mbikëqyrëse edhe me 22 akte tjera nënligjore, ku vetëm në vitin 2022, i miratuam 11 prej tyre.
Angazhimi ynë i përditshëm nuk do të ndalet. Veprimet tona do të intensifikohen e mbikëqyrja e tregut do të vazhdoj të rritet.Përkushtimi ynë do të jetë maksimal për të siguruar rregull dhe cilësi në treg.”, shkroi ministrja Hajdari.