Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është shprehur se akterë brenda Bashkimit Evropian po punojnë për ndarjen e komunitetit serb në Kosovë, pasi u pyet për vendimin e KE-së që qytetarëve në Kosovë me pasaporta serbe t’iu hiqen vizat.
Sipas Gërvallës, vendimi i BE-së është i gabueshëm, duke shtuar se vetëm integrimi i serbëve lokalë është hapi i duhur.
“Për pasaportat që nuk lëshohen nga institucione legjitime ne s’kemi hezituar dhe t’i paralajmërojmë e informojmë akterët e rëndësishëm. Ata (BE) kanë marrë një vendim që jo vetëm sipas mendimit tonë, çon në rrugë të gabuar, por bën të kuptosh se disa akterë në BE s’janë të interesuar në integrimin e pakicës serbe në Kosovë, por punojnë në ndarjen e tyre. Integrimi sa më i shpejtë i qytetarëve në struktura legale të pajisur me dokumente legale, çon në atmosferë e në hapësirë për të gjithë ata e për të gjithë ne”, ka deklaruar ajo të mërkurën në një konferencë për media.
Ministrja e Jashtme ka shtuar se Kosova nuk duhet të heshtë “përpara këtyre hapave të gabueshëm dhe të mos përsëriten”.