Ministrja e Arsimit , e Shkencës , e Teknologjisë dhe Inovacionit, përmes një postimi në faqen e saj në ‘Facebook’, ka radhitur një sërë suksesesh sa i përket edukimit në fëmijërinë e hershme.
Sipas ministres Nagavci, edukimi i hershëm i ndihmon vogëlushët në zhvillimin socio-emocional, kognitiv dhe motorik, si dhe ndikon pozitivisht në mirëqenie të tyre.
Ajo ka thënë se Ligji i ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme është një hap i rëndësishëm, e po kaq i rëndësishëm është bashkëpunimi i të gjithë aktorëve përfshirë prindërit, edukatorët, mësimdhënësit, institucionet edukativo-arsimore dhe institucionet qendrore e lokale, në mënyrë që fëmijët të marrin edukim cilësor që në fëmijëri të hershme.
“Bashkë me Caritas-in Zviceran, kemi punuar në disa komponenta:
Më shumë se 300 klasa janë pajisur me inventar dhe lodra druri, dhe, si rezultat, 26,021 fëmijë kanë përfituar nga qasja në edukimin e përmirësuar parafillor.
Trajnuam dhe përkrahëm më shumë se 700 edukatorë në pasurimin e klasave të tyre me aktivitete praktike dhe metodologji bashkëkohore.
Ndërsa si ministri po mbështesim fëmijët në moshën e hershme.
Me ligjin e ri, edukimi parafillor bëhet i obligueshëm
Kemi finalizuar udhëzuesin për ushqyeshmëri të shëndetshme”, ka shkruar ajo.
Po ashtu, ministra ka treguar se është krijuar Platforma Online “Edukimi në Distancë”, me mbi 200,000 përdorues dhe mbi 1200 aktivitete ditore, të cilat janë prezantuar edhe në gjuhët e komuniteteve.
“Për Qeverinë tonë një ndër prioritetit është rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, ndërtimin e çerdheve të reja dhe krijimin e ambienteve të përshtatshme për të mundësuar edukimin e hershëm të fëmijëve në kushtet sa më cilësore.
Do të sigurohemi që secili fëmijë në Kosovë të ketë qasje në këto institucione të rëndësishme për zhvillimin e tyre sepse, secili fëmijë ka të drejtë për edukim cilësor”, ka shkruar ministrja gjatë ditës në faqen e saj./Kosovanews/