Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për ndryshmin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.
Gjithashtu Qeveria ka miratuar propozimvendimin për miratimin e listës së pozitave për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës si dhe propozimvendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë të datës 9 mars 2022 për emërimin e Bordit të drejtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidromorava”, Sh. A. Gjilan.
Qeveria ka miratuar edhe propozimvendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore “P. Shy IGK Ballkan”, njësia Damper, (ish-kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Nga ky vendim, shuma e shpronësimit prej 20 % shkon për punëtorët e “Ballkanit” që për shumë vite kanë pritur të marrin të drejtën e tyre, ndërsa ish-hapësira e “Damperit” prej 30 hektarësh i kalon tashmë FSK-së.
Gjithashtu në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot është miratuar edhe propozimvendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit vjetor 2023 për rezervat shtetërore të mallrave.