Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu po planifikon të bëjë largimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Kësisoji, ky dikaster qeveritar ditë më parë përmes platformës E-prokurimi ka kërkuar të kontraktojë një Operator Ekonomik për kryerjen e kësaj detyre.

Për tenderin në fjalë janë ndarë hiç më pak se 30 mijë euro, dhe kohëzgjatja e kontratës parashihet të jetë për 36 muaj.
Sipas njoftimit, sasia apo fushëveprimi i përgjithshëm është për 5.900 kg.
Operatori Ekonomik duhet te ketë te përfunduar me sukses te paktën një kontrate për shërbime te ngjashme ne tri vitet e fundit nga data e publikimit te njoftimit per kontratë.”, është njëra ndër kërkesat e MD-së, lidhur me këtë tender.
Tutje, precizohet që operatori ekonomik duhet të posedojë peshoren për matjen e sasisë së mbetjeve në vendin e marrjes dhe – automjete të përshtatshme për transportimin e mbetjeve të rrezikshme, që parandalojnë rrjedhjen e tyre dhe rrezikojnë ndotjen e ambientit apo edhe kontaktin e personave tjerë të paautorizuar.
Afati i fundit për pranimin e tenderëve është deri më datën 5 qershor, të këtij viti.