Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik për të emëruar Meliza Krasniqin, bashkëshorten e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, si ushtruese detyre e drejtoreshës së këtij institucioni.
MAShTI njoftoi se më 23 qershor ka pranuar përmes emailit zyrtar një njoftim nga Instituti Albanologjik për mbajtjen e mbledhjes më 20 qershor, ku është marrë vendimi për ud. drejtoreshën. Ministria ka pranuar gjithashtu shqetësimet zyrtare të dy anëtarëve të Këshillit Drejtues, të cilët kanë pohuar se mungonin materialet paraprake për shqyrtim dhe se mbledhja është zhvilluar pa kuorum të mjaftueshëm, duke e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimeve të saj.
Ndërkohë, në opinion publik është ngritur shqetësimi për faktin se e emëruara është bashkëshortja e një lideri politik aktiv, duke u theksuar mundësia për ndikim të jashtëm dhe konflikt interesi në këtë proces. Kjo ka shtuar nevojën për transparencë dhe paanshmëri në vendimmarrjet akademike dhe shkencore.
MAShTI bëri të ditur se do ta shqyrtojë vendimin në përputhje me kompetencat ligjore dhe se do të njoftojë institucionet përgjegjëse për hapat e mëtejmë.