Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas takimit me homologun nga Shqipëria, Taulant Balla që u zhvillua në pikën kufitare në Vërmicë ka thënë se ka marrëveshje në mes të dy vendeve që mërgatës që vijnë për pushime në Kosovë e Shqipëri t’iu ofrohen shërbime të shpejta.
“Si rezultat i marrëveshjes për kalim të lehtësuar, nuk kemi shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që presin në radhë, vështirësinë që e kemi tash është me mërgatat tona që vinë për pushime, kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që mërgatave tona tu shërbejmë shpejt, me efikasitet, biseduam me ekipet tona, zgjidhje ka, ka vullnet të jashtëzakonshëm politik”, ka thënë Sveçla para mediave.
Ai tutje i ka uruar Ballës suksese në misionin e tij si ministër teksa ka theksuar se po punohet që këto marrëveshje të implementohen edhe në realitet.
“Unë me kënaqësi shfrytëzova rastin të takoj Ballën, ti uroj suksese në misionin e tij, kemi marrëveshje që janë nënshkruar në mes të dy ministrive, po punojmë që të implementohen edhe në realitet”, ka vijuar Sveçla.