Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vizituar sot Mitrovicën, me ç’rast ka dhënë edhe një deklaratë për medie ku ka theksuar se kanë kapacitetet e duhura për të ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të cilat janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.
Sveçla është parë tek Ura e Ibrit në Mitrovicë gjatë mesditës të së mërkurës dhe aty është ndalur nga gazetarët për të marrë një deklaratë për situatën e fundit në veri të vendit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës. Gjatë ditës së djeshme pati shpërthime të njëpasnjëshme nëpër komisionet komunale zgjedhore në veri.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një reagimi gjatë ditës së sotme, theksoi se nuk ka kushte të duhura për t’u mbajtur zgjedhjet.
Por ministri Sveçla ka thënë se e respekton qëndrimin e Hovenierit, megjithatë për mbajtjen e zgjedhje, sipas tij, vendosin institucionet e Kosovës.
“Situata është e qetë. Kam ardhur për t’i koordinuar punët. E respektojmë qëndrimin e ambasadorit amerikan, por janë institucionet ato që vlerësojnë aspektin e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Sveçla, duke paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media të mërkurën pasdite.
Shkuarja e Sveçles në Mitrovicë ndodh një ditë pasi në veri të Kosovës pati shpërthime të njëpasnjëshme me granata dore dhe shok-bomba. Sulmet nisën pas mbërritjes së zyrtarëve zgjedhorë nëpër komisionet komunale zgjedhore në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Reagime për sulmet pati kryeministrin Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, ndërsa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për orkestrimin e tyre.